Rriten sigurimet në Kosovë

Në vend sigurimet u rritën për 6.1 përqind

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sektori i sigurimeve, që përfaqëson rreth 3.0 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar, në dhjetor 2016 shënoi rritje vjetore prej 6.1 përqind.

“Një ndër kontribuesit kryesor në rritjen e aseteve të sektorit të sigurimeve ishte rritja e parave të gatshme të mbajtura në bankat komerciale, që ka pjesëmarrjen më të madhe në strukturën e aseteve të kompanive të sigurimit. Sigurimet jo-jetë, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të sektorit me 89.9 për qind të gjithsej aseteve, shënuan rritje vjetore prej 5.8 për qind. Ndërsa, sigurimet ‘jetë’, që përbëjnë pjesën e mbetur të aseteve, shënuan rritje vjetore prej 8.3 për qind”, bëhet e ditur në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Sipas raportit të BQK-së, gjatë vitit 2016, vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve arritën vlerën prej 83.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 4.4 përqind. “Struktura e primeve të shkruara kryesohet nga primet e sigurimit jo-jetë të cilat përfaqësojnë 96.9 përqind të gjithsej primeve të shkruara. Vlera e realizuar e primeve të shkruara nga sigurimi jo-jetë arriti në 80.9 milionë euro në vitin 2016, që tregon për një rritje vjetore prej 4.7 për qind. Ndërsa, vlera e primeve të shkruara nga sigurimi jetë arriti vlerën 2.6 milionë euro, duke shënuar një rënie vjetore prej 3.7 për qind”, njoftohet në raport.

Dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve, ku përfshihen dëmet e kompanive të sigurimit dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), shënuan rritje vjetore prej 3.8 për qind (rritje prej 15.1 për qind në vitin 2015).

“Rritja më e vogël e dëmeve të paguara gjatë kësaj periudhe krahas rritjes më të lartë të primeve të shkruara, rezultoi në rënie të lehtë të raportit të gjithsej dëmeve të paguara ndaj primeve të shkruara”, njoftohet më tutje në raport./21Media

Back to top button