Katër persona kanë ndërruar jetë nga virusi korona në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut. Në Spitalin “8 shtatori” në Shkup kanë ndërruar jetë një pacient nga Shkupi 58-vjeçar i pranuar në spital më 9 qershor, një pacient 73-vjeçar i hospitalituar më 26 maj, një paciente 73-vjeçare e pranuar më 22 qershor. Më 21 qershor ka ndërruar jetë një 72-vjeçar, ndërsa sot është konfirmuar rezultati pozitiv në COVID-19, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Rastet e reja

118 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut. Janë bërë gjithsej 1363 teste. Më shumë raste janë regjistruar në Shkup 55, në Tetovë janë shënuar 20 raste të reja, Ohër dhe Kumanovë nga 9 raste, në Resnjë 5, në Gostivar 4, në Prilep 4, nga 2 të infektuar në Strugë, Veles dhe Strumicë ndërsa nga 1 i infektuar është regjistruar në Dibër, Shtip, Manastir, Gjevgjeli, Shën Nikollë dhe Kërçovë.

Të shëruar

Instituti për Shëndet Publik ka regjistruar 74 pacientë të shëruar. 37 nga Shkupi, 24 nga Tetova, 5 nga Prilepi, 4 nga Gostivari, 3 nga Shtipi dhe 1 nga Velesi.

Numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend për momentin është 3012 të infetkuar. Që nga fillimi i pandemisë nga koronavirusi janë prekur 5311 persona, prej të cilëve 2048 janë shëruar ndërsa 251 e kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës./TV21