Vjeshta vjen me thesaret e saj. Ushqime të shijshme dhe plot vera ushqyese për tu ndjerë mirë dhe për të pasur energjinë që na duhet. Nuk ka si ushqimet e stinës, kur është çështja për vlerat ushqyese që kanë.

Patëllxhani

Patëllxhani është padyshim një nga perimet më të mira të cilat falë bujqësisë moderne i shijojmë në çdo stinë. E megjithatë, vjeshta është stina e duhur për të shijuar me të vërtetë patëllxhanin. Patëllxhani është një ushqim shumë i mirë për trurin. Përbërësit e tij mbrojnë qelizat e trurit nga oksidimi por edhe luftojnë qelizat kancerogjene. Nëse patëllxhanin do e skuqni në shumë vaj ose do e mbushni me djathë, ai do të jetë i dëmshëm për shëndetin. Nëse zgjidhni gatimin e duhur, siç është pjekja, atëherë do të merrni përfitime të mëdha prej tij.

Kungulli i Verdhë

Ky thesar i vjeshtës ofron një ngjyrë dhe shije që të ngroh shpirtin. Por, kungulli është i mirë për të gjithë organizmin sepse e gjithë ajo ngjyra e verdhë që shikoni në brendësi të tij, është beta karoteni i cili mirëmban sytë dhe kockat. Përpos beta karotenit, kungulli është i pasur edhe me vitaminën C dhe fibrën aq të nevojshme për tretjen.

Shega

Shegën e duam të gjithë. Kokrrat e saj si rubini janë plot shëndet, veçanërisht për zemrën. Konsumi i rregullt i shegës pengon rritjen e nivelit të kolesterolit, pastron enët e gjakut, përmirëson qarkullimin e tij dhe mbron zemrën në tërësi.

Preshi

Preshi është pjesë e të njëjtës familje botanike me qepën dhe hudhrën. Konsumi i preshit e furnizon organizmin me vitaminën K e cila pengon shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene. Kjo vitaminë është gjithashtu mirëbërëse për rritjen e ndjeshmërisë së trupit ndaj insulinës por edhe për kockat. Konsumi i preshit mbron enët e gjakut nga oksidimi por edhe pengon aterosklerozën.