Sot në Ferizaj, Gjykata Themelore përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit R.M., kosovar i cili akuzohet për shkak të veprës penale të kryer “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar  narkotikëve, substancë psikotrope dhe analoge”.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues e Departamentit për Krime të Rënda, Kadrije Goga- Lubishtani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të pandehurin R.M. për veprën penale e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej 10.000.00 euro.

”Gjithashtu me këtë rast të dyshuarit i konfiskohen  në mënyrë të përhershme automjeti Golf VII, i cili i dorëzohet Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, substanca narkotike e llojit heroinë në sasi prej 71 gram dhe dy paketime me substance heroinë me peshe 635.1 gram, një paketim e substancës narkotike e llojit heroinë me peshe 314 gram si dhe konfiskohet shuma e të hollave prej 225.25 cent, dy telefona të markës Iphon 5X dhe Iphone 6, dy telefona të thjeshtë Alcatel dhe një peshore digjitale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

R.M akuzohet se nga muaji janar deri në tetor të vitit 2020 në Ferizaj dhe në fshatin Pozhoran të Vitisë ka shpërndarë, shitur dhe transportuar substancë apo preparate të cilat janë shpall me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që gjatë zbatimit të masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, është konstatuar se i njëjti për një periudhë të gjatë kohore, ka furnizuar me substancë narkotike të llojit heroinë të pandehurit G.H; Xh.F dhe B.I. ky i fundit më 09.10.2020 pas marrëveshjes paraprake përmes telefonit me të dënuarin lidhur me shitblerjen e substancës narkotike ishte kapur flagrancë në dalje të fshatit Pozhoran ku po ashtu i ishte sekuestruar substancë narkotike.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /21Media