Komuna e Malishevës ka bërë ekzekutimin e 40 mijë e 600 euro për 406 nëna që kanë lindur gjatë këtij viti e që kanë aplikuar për përkrahje.

Kjo vie në kuadër të zbatimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së Malishevës për përkrahje financiare për nënat që lindin.

“Janë ekzekutuar mjete për të gjitha ato nëna që kanë lindur fëmijë dhe kanë aplikuar për përkrahjen që Komuna e Malishevës e ofron dhe bëhet për 406 nëna që kanë aplikuar, dhe të cilat përkrahen me nga 100 euro. Pra janë ekzekutuar 40 mijë e 600 euro”, ka bërë të ditur drejtori për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se brenda vitit kjo është hera e dytë që ekzekutohen mjete për nënat që kanë aplikuar për përkrahje.

“Në muajin prill është bërë ekzekutimi i mjeteve për 400 nëna dhe tani për 406 nëna, që i bie se brenda këtij viti janë përkrahur 806 nëna, apo shprehur në mjete, janë paguar 80 mijë e 600 euro”, ka përfunduar ai.