Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Lux-Dev S.A. dhe Qeveria e Austrisë, përmes Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) sot i kanë dhuruar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë komplete testimi për COVID-19.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka bërë të ditur se UNDP i ka dhuruar sot IKShPK-së sot 41 mijë teste RT PCR, metodë kjo e vetme e licencuar aktualisht në Kosovë.

“Kanë sjellur kontigjentin më të madh në Kosovë, gjegjësisht 41 teste RT PCR të cilat do të shërbejnë për diagnostikimin e virusit. Ne kemi rritur kapacitetet e testimeve dhe shumë shpejt testimet PCR dhe Serologjike edhe në shtatë qendrat rajonale të Institutit”, ka thënë Ramadani.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni theksoi rëndësinë e partneritetit dhe ndihmës ndërkombëtare gjatë këtyre kohërave të vështira.

“Pjesëmarrja ime këtu sot për të pranuar këtë donacion të fundit në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, më bën shumë krenar që mund t’u them faleminderit miqve tanë ndërkombëtarë që janë duke na mbështetur në vazhdimësi për të kapërcyer këtë sfidë globale. Ne jemi duke punuar pandërprerë për të zvogëluar dhe parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë dhe ngadalë por sigurtë, kemi rezultatet e para. Numri i madh i testeve që po marrim sot do të thotë shumë për mbrojtjen e shëndetit publik. Unë dua t’i falënderoj qeveritë e Luksemburgut dhe Austrisë për financim dhe UNDP-në për blerjen e këtij kontigjenti të kompleteve për testim”, ka thënë Zemaj.

Sipas një komunikate për media, kompletet e testimit janë blerë me 500 mijë euro nga marrëveshja me qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Lux Development SA në vlerë të përgjithshme prej 1 milion euro, gjysma e së cilës do të përdoret për ofrimin e ndihmës humanitare për 2000 familje, dhe marrëveshja me qeverinë austriake përmes Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në vlerë të përgjithshme prej 250,000 euro./21Media