Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor për momentin po kryen kontroll të jashtëzakonshëm inspektues në lidhje me pacienten 41-vjeçare e cila ka ndërruar jetë në Repartin Infektiv në Spitalin Klinik në Shtip, bëjnë me dije nga Ministria e Shëndetësisë. Shtojnë se drejtori i spitalit, dr. Alen Georgiev, gjithashtu ka kërkuar që të përpilohet raport për mënyrën e trajtimit të pacientes në fjalë.

“Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor po kryen inspektim të jashtëzakonshëm për rastin me pacienten 41-vjeçare e cila ndërroi jetë në Repartin Infektiv në Spitalin Klinik në Shtip Pasi të përfundojë kontrolli inspektues, opinioni publik do të informohet me kohë”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Mihaela Doviçinska, e bija e pacientes 41-vjeçare e cila ndërroi jetë në Repartin Infektiv në Shtip me bronkopneumoni dhe COVID-19, dje përmes një statusi në Fejsbuk, akuzoi për sjellje joadekuate të stafit mjekësor në këtë repart. Ajo pohon se të dhënat e celularit të nënës së saj, dëshmojnë se ajo me orë të tëra nuk ka arritur të realizojë kontakt me asnjë të punësuar që t’i sjellin bombol oksigjeni në dhomën e saj, në momente kur ajo bombola ishte kyçe për jetën e saj.

“Ata janë përkujdesur për nënën time, por nuk kanë mundur të bëjnë gjë. Këto ishin fjalët ngushëllimi për familjen time dhe fjalë në të cilat besova… Derisa nuk e mora celularin e nënës, të cilin na kthyen, për t’i lexuar edhe fjalët ngushëllimi që i shkrova unë, por ajo nuk ka qenë në gjendje t’i lexojë. Unë nuk i pashë të gjitha përpjekjet e saj të pasuksesshme që të realizojë kontakt me stafin mjekësor kujdestar në të njëjtin numër në të cilin lajmëroheshin njerëzit nga i gjithë vendi për t’u informuar për të afërmit e tyre”, shkruan në rrjetin social Facebook, Mihaela Doviçinska.

Inspektimi i jashtëzakonshëm në Repartin Infektiv në Shtip, ende po zgjat, kurse pasi të përfundojë Ministria e Shëndetësisë do të dalë me hollësira rreth asaj nëse personeli mjekësor ka bërë lëshime gjatë kryerjes së punës së tij./TV21