500-600 euro shtesa për Kuvendin dhe Presidencën
23 Dhjetor 2020
Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës për festat e fundvitit po ndajnë krahas pagave të tyre edhe nga një shtesë rreth 500-600 euro. Kështu bëri të ditur mbrëmë zëndësministri i financave në detyrë, Agim Krasniqi, i cili njëkohësisht shtroi pyetjen që a pritet që edhe stafi tjetër publik, sektori privat dhe qytetarët të marrin nga 1 mijë euro?
“Lulëzim ekonomik për Kuvend e për Presidence të Republikës së Kosovës. Nuk po dije asgjë, unë nuk paskam kuptu e dëgju se në Kosove tani kemi rritje dhe lulëzim ekonomik. Nuk po e kuptoj si dikush ka humbur vendet e punës, si dikush nuk ka marr page fare këtë vit.”, shkroi Krasniqi në facebook.
Nga ana tjetër, këshilltari i U.d të presidentit, Vjosa Osmanit, Faton Peci nuk e mohoi që Presidenca dhe Kuvendi i kanë marrë këto shtesa në pagat e tyre për fundvit. Por, ai shtoi se në votimin e këtij vendimi kanë marrë pjesë të gjithë në kryesi të Kuvendit dhe siç bëri të ditur Peci, U.d e presidentit, Vjosa Osmanit nuk e ka votuar vendimin në fjalë.
“Vendimi i Kuvendit është kolegjial. Në Kryesi marrin pjesë të gjitha partitë, teksa këtë vendim Kryetarja e Kuvendit nuk e ka votuar”, u shpreh ai.
Me këtë rast, Peci duke iu kundërpërgjigjur zv.ministrit të financave në detyrë, Agim Krasniqit, e pyeti se ku u avulluan 2.1 million euro të taksapaguesve të Kosovës.
“Sa për vëmendjen e zv.ministrit dhe të publikut, Kuvendi i Kosovës ia ka rikthyer Qeverisë në rishikim të buxhetit mbi 1.5 milion euro kursime! Prandaj, zv. ministër (drejtor i buxhetit i PAN-it), ku mbeten 2.1 milion euro?!”, shkroi Peci në facebook./21Media