Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 55 raste pozitive.

Ndërsa kanë humbur jetën 3 qytetarë, të cilët po trajtoheshin në terapi intensive, të intubuar.

Një 52 vjeçar nga Tirana, një 57 vjeçar nga Kukësi dhe një 59 vjeçar nga Korça, nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.

Aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz.

Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me Covid-19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në Shqipëri aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.