Në Ferizaj gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 55 raste të reja me Covid-19. Pas këtyre rezultateve Kryetari i Ferizajt Agim Aliu ka thënë se rritja e rasteve në këtë Komunë është rekord i frikshëm.

Aliu përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje që të respektohen masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Bashkëqytetarë, Ferizaj po ngjitet frikshëm në krye të qyteteve me numrin më të lartë të të infektuarve me virusin COVID-19. Ju lutem, është koha e fundit të kuptoni e zbatoni drejt mesazhin e profesionistëve shëndetësor: vendosni maskën, mbani distancën e mbani higjienën personale. Mendo e mbro familjen e më të dashurit tuaj”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Në Kosovë sot janë regjistruar 214 raste të reja me COVID-19.  Instituti Kombëtar i Shëndetësisë  bënë të ditur se këto rezultate kanë dalur prej 413 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. /21Media