Madje edhe pas 57 vjetëve nga tërmeti i tmerrshëm në Shkup, ende janë të freskëta kujtimet e atyre që e kanë mbijetuar këtë fatkeqësi të madhe. Edhe pse kaloi më shumë se gjysmë shekull, qytetarët tregojnë për shtëpitë e tyre dhe objektet e shkatërruara të cilat janë zhdukur para syve të tyre brenda disa sekondave.

Plaku Cvetko Angjellov i cili në atë kohë ka punuar në NQP Shkup, para kamerës së TV21 foli për tingujt e tmerrshëm  të tërmetit që i kanë zgjuar atë dhe tre fëmijët e tij.

Fëmijët ishin të vegjël, fëmija më i vogël kishte dy vjet,të dy të tjerët ishin më të mëdhenj. U frikësuan dhe i çova te prindërit e mi në Veles. Njerëzit shkuan nëpër fshatrat dhe qytetet e tjera, firmat mbetën pa punëtorë. Pastaj nëpër parqet bënë tenda, atje i akomoduan njerëzit. Edhe neve na bënë tendë në parkun e qytetit. Vrapo, sjell atje ku nevojitet, lësho autobusë. Ne tërë kohën ishim në punë, duhej të sillnim njerëz”, deklaroi Angjellov.

Cvetko foli edhe për ndihmën që ua ka ofruar fqinjëve të tij të frikësuar në ndërtesën e tij.

Ishte pak rrënuar, por jo edhe dhoma jonë. Në ndërtesën kishte gra shurdhmemece të cilat banonin këtu  me qira. Erdhën te ne të frikësuara, me pizhame. Unë shkova lart tek ata dhe mora pak veshje që të vishen. Ata që ende janë të gjallë ende janë të falënderuar ndaj meje. Pastaj shkova në punë për të parë se çfarë ka ndodhur. Munguan shumë njerëz. Shkova edhe në qytet. Një ndërtesë te Fondi social ishte rrënuar tërësisht”, tha Angjellov.

Nga tërmeti ishin rrënuar dhe shkatërruar mijëra objekte. Mbi 200 mijë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë. Jetën e humbën 1070 njerëz ndërsa ishin lënduar mbi 4000.

Kishin frikë që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ishte shumë e rëndë. Pastaj filluan të jepnin baraka. Shteti i ndihmoi secilit që kërkoi ndihmë“, deklaroi pensionisti.

Plaku 94 vjeçar tha se në atë kohë jeta ka qenë shumë më e bukur.

Atëherë ishte më mirë. Atëherë mundeshim të shkonim edhe në pushime, tani nuk mundet. Rrogat janë të ulëta, pronarët bëjnë siç të duan. Tani me një rrogë a të shkosh në pushime ose të jetosh me ato paratë. Unë kam punuar 18 orë në ditë. Nuk kam zbritur nga autobusi. Do të vinte shefi duke thënë se nuk ka askush për atë ndërrim dhe unë nuk refuzova që të punoja. Por paguanin për gjithçka. Paguhej për festë shtetërore, puna e natës paguhej, paguhej për gjithçka”, tha Angellov.

Në lidhje me martesën e cila zgjat 56 vjet, tha se më e rëndësishme është që të ketë mirëkuptim dhe respektim të ndërsjellë. Nga tre fëmijët kanë tre nipër dhe 4 stërnipër. Për shkak se çdo ditë shëtitet në mehallë dhe në treg, e pyetëm nëse ka frikë nga virusi korona dhe sa i respekton masat mbrojtëse.

Të të them të drejtë pa maskë nuk shkoj askund. Situata është për t’u frikësuar. Sa njerëz ndërruan jetë nga korona. Të rinjtë nuk i respektojnë masat. Po mblidhen në dasma, grupohen pa mbajtur maskë, sigurisht do të ketë dikush i sëmurë mes tyre”, shtoi Angellov.

Për recetën për jetë të gjatë dhe të shëndetshme, Cvetko tregon:

“Të punosh dhe të lëvizesh. Të mos dehesh, kjo është më e keqja. Unë nuk kam pirë raki, as cigare kam pirë. Gruaja më thoshte merr një raki, burrë je. Brenda ditës do të pi nga një birrë, aq.

-A ju mungon rinia?

“Them që të kthehem të paktën në moshë 10 vjeçare. Por nuk mundet, kaloi”./TV21