Arrestohen 5 persona për trafikim me qenie njerëzore

Policia e Kosovës në dy raste ka arrestuar pesë persona

Dy persona në Lipjan janë arrestuar  nën dyshimin se ka shtyrë drejt shfrytëzimit seksual një 16 vjeçare. Ndërsa në Pejë, janë arrestuar tre të dyshuar për Mundësim ose Detyrim në Prostitucion dhe Ofrimi i Lokaleve për Prostitucion.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore – Sektori Qendror i Hetimeve nga Stacioni Policor Lipjan, është njoftuar për një person të zhdukur të gjinisë femërore të moshës 16 vjeçare, e cila dyshohej se mund të jetë viktimë e trafikimit.   Pas  hetimit te rastit me datë 14.06.2017 viktima është gjetur dhe intervistuar. Nga hetimet lind dyshimi se viktima gjatë një periudhe kohore, është mbajtur nën kontroll nga ana e një të dyshuarit mashkull/kosovar/shqiptar. “Ai me anë të mashtrimit, duke e shfrytëzuar edhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe rrethanat familjare të viktimës, dyshohet se e ka shtyrë atë drejt shfrytëzimit seksual” thuhet në raportin e policisë. I dyshuari me vendim te prokurorit është dërguar sot në mbajtje për 24 orë. Ndërsa dje është arrestuar edhe personi i dytë, nën dyshimin e konsumimit të veprës penale: Shërbimet Seksuale të Viktimës së Trafikimit. I dyshuari H.H. mashkull-shqiptar-kosovar, me vendim te prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Në rastin e dytë në Pejë, janë arrestuar tre të dyshuar për Mundësim ose Detyrim në Prostitucion dhe Ofrimi i Lokaleve për Prostitucion.

Me datë 19.06.2017 në Pejë, është realizuar urdhëresa e lëshuar nga gjykata kompetente, për kontroll të një lokali ku dyshohej se kryhej veprimtari e dyshuar kriminale. Aty janë arrestuar tre të dyshuar për përfshirje në veprat penale: Mundësim ose Detyrim ne Prostitucion dhe Ofrimi i Lokaleve për Prostitucion. Dy të dyshuarit e arrestuar në një lokal nate janë:  I.H, lindur më 1963 dhe SH.M, lindur më 1987. Me vendim të Prokurorit të dyshuarit, dërgohen në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara E.G. femër-kosovare-shqiptare, e lindur më 1993 është dërguar në Gjykatën Themelore Divizioni për Kundërvajtje-Pejë në procedurë të shkurt. Me vendim te Inspektoratit Komunal, lokali ku dyshohej se ushtrohej veprimtaria e ndaluar është mbyllur./21Media

Back to top button