Një grup i luftëtarëve kanë organizuar një protestë simbolike, duke i konsideruar si ofendim deklaratat e bëra nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në adresë të luftëtarëve të lirisë.

“Për shkak të gjendjes pandemike, është reduktuar numri i protestuesve të interesuar si dhe janë respektuar të gjitha masat e parapara nga qeveria. Luftëtarët kanë protestuar pa zhurmë, me pankarta, me moton: Kryetar, ndal ofendimet ndaj çlirimtarëve!

OVL UÇK Pejë, falënderon organizatorët dhe pjesëmarrësit për paraqitjen dinjitoze dhe respektimin e masave”, thuhet në njoftimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-në në Pejë.

Kryetari i Pejës derisa fliste për kushtet në njërën prej shkollave të Pejës, i ka quajtur veteranët si partizanë.

“Prej Et’hem Çekut kur është hi me partizanët e dytë, e derisa është hjekë Ali Berisha, një shkollë e kanë ndërtuar. Unë për një mandat katër shkolla të mesme i kam ndërtuar”, tha Muhaxheri.