Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 294 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 6 raste.

IKSHPK njoftoi se rastet pozitive janë nga: Komuna e Prishtinës 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prishtinë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Mamushë, Vushtrri dhe Gjilan.

Nga data 08 shkurt deri më 09 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 17 mijë e 199 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1 mijë e 269 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 09 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 7 milionë e 261 mijë e 508 raste të COVID-19 dhe 410 mijë 975 raste të vdekjes./21Media