Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri raportoi se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën gjashtë qytetarë, ndërsa janë regjistruar 574 raste të reja.

Rastet e reja janë regjistruar pas kryerjes së 2662 testeve të dyshuara për Covid-19. Ministria thotë se numri i të shtruarve në spitale vijon të jetë i qëndrueshëm, ndërkohë në katër spitalet COVID, po trajtohen 286 pacientë, 21 janë në terapi intensive, nga të cilët pesë janë të intubuar.

Në mesin e gjashtë viktimave të 24 orëve të fundit nga koronavirusi është edhe mjeku Hiqmet Musta, i cili humbi jetën në moshën 73-vjeçare.

“Fatkeqësisht me gjithë përpjekjet e mjekëve, 6 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid19; Mjeku 73 vjeçar Hiqmet Musta; 3 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Berati të moshave 65-88 vjeç”, sqaron ministria.

Që nga fillimi i pandemisë dhe deri sot kanë humbur jetën 1170 qytetarë, shifër kjo e lartë në krahasim me numrin e popullsisë dhe numrin e të prekurve. Qarku më i prekur në Shqipëri është Tirana, e cila aktualisht regjistron numrin më të lartë të të infektuarve dhe atyre që kanë humbur jetën.

Ministria e Shëndetësisë kërkon nga qytetarët të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë masat anticovid. Sipas saj, këto janë masa të thjeshta, por thelbësore për të evituar përhapjen e gjerë të pandemisë në popullatë.