Gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e pandemisë Covid-19, si dhe 103 persona janë infektuar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë.

Kështu u tha në një konferencë për media të Ministrisë së Shëndetësisë dhe përfaqësuesve të institucioneve tjera, ku u theksua se masat e reja kanë nisur të japin rezultatet e para, por ende duhet respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik. Po ashtu, u theksua se për 4 ditë, janë gjobitur 387 persona fizikë, 29 persona juridik dhe janë lëshuar 371 vendime për izolim.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha në funksion të ballafaqimit me Covid-19, kanë themeluar bordin për licencimin e institucioneve private për testime të Covid-19, por përmendi edhe sigurimin e rreth 500 mijë testeve të dhuruara nga UNDP dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Në këtë aspekt janë hapur procedurat për sigurimin e aparaturave për qendrat komunale të shëndetit publik, si dhe sigurimi i testeve seriologjike, të cilat do të na ndihmojnë të detektojmë të popullata shkallën e imunitetit të fituar nga virusi, si dhe të rrisim mbikëqyrjen epidemiologjike në mesin e popullatës tonë……kemi fuqizuar kapacitetet klinike dhe spitalore për menaxhimin e pandemisë Covid-19, me rekrutimin e 200 profesionistëve shëndetësor të shpërndarë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në spitalet e përgjithshme dhe në QKMF-të, ane e mbanë Kosovës. Kemi hap kapacitetet e reja siç është spitali i Vushtrrisë, që do të jetë në funksion të pacientëve me Covid-19”, tha ai.

Xhevat Jakupi, kryetar i bordit të Shërbimit Spitalor, bëri thirrje të gjithë qytetarëve t’i respektojnë masat e rekomanduar nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Janë testuar gjithsej 459 mostra të marra nga pacientë të shtrirë në ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 103 raste pozitive. Numri total i rasteve pozitive është 5.472 raste nga 30.005 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 124 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Më datë 16 korrik 2020, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.640 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.708”, tha ai.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se rreth 4000 mijë policë po angazhohet maksimalisht që të kemi një situatë sa më të mirë për qytetarët e Kosovës.

“Konsiderojë që angazhimi i policisë, angazhimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i të gjitha institucioneve tjera, ndoshta është herët të themi por konsiderojë se janë duke dhënë rezultate ngadalë. Besoj që me një bashkëpunim shumë më të mirë me qytetarët, me një disiplinë sa më të madhe të qytetarëve, ne do të arrijmë që të kemi një situatë më të lehtë nga aspekti i personave të infektuar me Covid-19”, ka thënë ai, duke thënë se qytetarët po respektojnë në bartjen e maskave, por ende nuk është niveli i kënaqur.

Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku tha se inspektorët do të angazhohen në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

“Për 4 ditë të kryera të inspektimeve, së bashku me Policinë e Kosovës, kemi arritur të kryejmë 1398 inspektime te subjektet afariste, kemi 387 gjoba për personat fizikë, kemi shqiptuar gjoba për persona juridik, 29, kemi lëshuar për katër ditë 371 vendime për izolim, 29 vendime të shëruar dhe kemi përcjellë mbikëqyrjen e 25 varrimeve që kanë vdekur nga Covid-19”, tha ai.

Përndryshe, ai shtoi se do të jenë rigoroz në respektimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës.