Edhe krahas kërkesës së SASHK-ut se duhet të rishqyrtohet vendimi i MASH-it për ligjërim me prani fizike, mësimdhënësit mbeten në modelin e vjetër për ligjërim. Ministrja e arsimit e Maqedonisë, Milla Carovska theksoi se të gjitha shtetet në botë, OBSH-ja dhe UNICEF-i rekomandojnë që shkollat të mbeten të hapura. Sipas statistikës së fundit, 60 nxënës dhe 160 mësimdhënës në nivel të tërë shtetit të cilët ligjërojnë me prani fizike, janë aktivë në Covid-19.

“Në fillim të kësaj jave njoftuam se sa është përqindja e numrit të përgjithshëm të nxënësve dhe do të shihni se 0,05 është përqindja e nxënësve të infektuar dhe 0,6 është përqindja e mësimdhënësve të infektuar. Kjo do të thotë se nuk tejkalojmë asnjë përqindje, nuk kemi përhapje të virusit brenda shkollave. Derisa nuk krijohen kushte për mbyllje, ne do të mbeteshim në këtë model”, tha ministrja e Arsimit, Milla Carovska.

Në lidhje me çerdhet, ministrja për punë dhe politikë sociale Jagoda Shahpaska sot njoftoi se nga 9 nëntori kur u hapën çerdhet e deri më sot, janë regjistruar gjithsej 33 fëmijë me virusin korona dhe 109 të punësuar.

“Për momentin në izolim janë 107 të punësuar dhe 650 fëmijë. Kur flas për izolim, nuk dua që qytetarët të dezinformohen. Ky është numri i përgjithshëm i personave në izolim për shkak të kontakteve. Ata nuk janë pozitivë. Theksoj se personat që janë në izolim nuk janë pozitivë”, u shpreh Jagoda Shahpaska, ministre për punë dhe politikë sociale.

Ajo theksoi se gjendja në çerdhet është stabile në bazë të faktit se 11 mijë fëmijë për momentin shkojnë në çerdhe, prej tyre 650 janë në izolim, raporton TV21./21Media