61 objekte të vjetra në Prishtinë, banorët ndihen të rrezikuar përreth tyre

Rasti në Jabllanicë të Gjakovës mund të mos jetë i fundit pasi edhe në vende të tjera ka objekte të cilat paraqesin rrezik për qytetarët. Gjendje e njëjtë është edhe këtu prapa meje ku sipas qytetarëve ky objekt përbën rrezik për ta çdo ditë e më shumë…”

Kjo shtëpi, është një ndër shumë shtëpitë e pabanuara në Kosovë, e cila rrezikon të shembet. Qytetarët që frekuentojnë këtë lokacion ndihen të pasigurt kur kalojnë pranë kësaj shtëpie.

“ndihemi të rrezikuar nga ky objekt këtu. Kjo çdo moment mundet me u shembë e me zënë dikë përfundi…”
Pronari i kësaj shtëpie, thotë se objekti është në këtë gjendje që nga viti 2014, si pasojë e  vërshimeve.

“…këto shtëpi kanë mbetë në këtë gjendje prej 2014 kur ka ndodhë një fatkeqësi natyrore prej vërshimeve të mëdhaja dhe rrëshqitjes së dheut. Ka pasur dëme të mëdha. Shtëpia është shumë e lakume dhe mundet edhe me nxanë dikë. Ne i kemi njoftu institucionet mirëpo askush nuk ka ndërmarrë asgjë…”, tha për rtv21 pronari i shtëpisë

Në kryeqytet janë edhe rreth 60 objekte të tjera që paraqesin rrezik për shembje, deklaron drejtori për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

“…Ne çdo gjashtë muaj bëjmë evidentimin dhe inspektimin e të gjitha këtyre objekteve. Raporti i fundit është bërë me 20 dhjetor të vitit të kaluar, ku janë evidentuar dhe është bërë inspektimi i gjithë këtyre hapësirave. I kemi evidentuar 61 shtëpi që janë në gjendje të keqe, 11 mure dhe një lokal…”

Fundjavën që lamë pas, tre të mitur humbën jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie në fshatin Jabllanicë të Komunës së Gjakovës./RTV21/21Media

Back to top button