Kur flitet për poetët e mëdhenj të letërsisë botërore, emri i Dylan Thomas-it është çdoherë në mesin e tyre. Edhe pse nuk arriti të ketë karrierë të gjatë (vdiq në moshën 39-vjecare), ai arriti që të futet në historinë e poezisë botërore, të cilën e transformoi qoftë për nga vargu (kryesisht aleksandrin), qoftë për nga temat që trajtonte.

Dylan Thomas u lind në Swansea më 1914 dhe vdiq në këtë datë, 9 nëntor, të vitit 1953 në lagjen njujorkeze Greenwich e njohur për jetën libertine dhe mbledhjen e artistëve që banonin kryesisht në hotelin e famshëm “Chelsea” e gjetkë dhe prej aty bënin artin e tyre. Kjo lagje e mirënjohur gëlonte nga kafenetë, kabaretë dhe vendet ku artistët mblidheshin dhe nga aty i shfaqnin idetë e tyre për botën.

Poezia e Dylan Thomas-it është e veçantë në tërësinë e saj, ani pse nuk është voluminoze. Si fëmijë, braktisi shkollën për ta provuar veten në gazetari si 16-vjecar. Ndërkohë, nisi krijimet e para të cilat i botonte në periodikët e kohës. Që nga atëherë u pikas talenti i tij dhe veçantia e vargjeve.

Tutje, gjendja e tij financiare po bëhej gjithnjë e më e vështirë për shkak se të ardhurat e një shkrimtari ishin të vogla. Ndaj, Thomas-i nisi bredhjet dhe jetën prej bohemi. Shkrimet e tij vlerësoheshin dhe konsiderohej poet popullor me afinitet të jashtëzakonshëm në shkrimin e vargjeve. Më vonë nisi një turne leximi të poezive të tij që transmetoheshin në radio. Në vitin 1940 regjistroi poezitë e tij në BBC, çka i solli vëmendje më të madhe dhe famë në tërë botën.

Disa nga poezitë e tij më të njohura janë: “Do not go gentle into that good night”, “And death shall have no dominion” e të tjera. Thomas është i njohur edhe për shkrimin e prozave të shkurtra të përmbledhura në vëllimin me titull “Portrait of the Artist as a Young Dog”. Dylan Thomas nga kritikët konsiderohet si njëri ndër poetët më të rëndësishëm të shekullit 20-të, për origjinalitetin, ritmin dhe krijimin e imazheve surreale që ndikuan te poetët tjerë. Madje, kantautori amerikan Bob Dylan porsa ra në kontakt me poezitë e Thomasit, u ndikua aq sa ta marrë emrin e tij të cilin e përdori gjatë gjithë karrierës së gjatë. Sot, bëhen 67 vjet nga vdekja e këtij poeti të madh. /21Media