7 muaj pasi u përurua, filloi punën spitali pediatrik “Sheikha Fatima”

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka filluar punën sot spitali pediatrik-kirurgjik që është donacion prej 22 milionë eurove i Emirateve të Bashkuara Arabe për shëndetësinë e Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Ministria e  Shëndetësisë përmes një komunikate për media.
Sipas Ministrisë sot në ditën e parë të funksionalizimit të këtij spitali janë kryer dy operacione të fëmijëve si dhe kanë filluar aty punën ambulanca specialistike për fëmijë, emergjenca pediatrike dhe kirurgjia spcialistike.
“Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë, ndërkohë që pritet të transferohen edhe neo-onatologjia, shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë. Spitali pediatrik –kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore; ato të Traumës; shërbimet e Observimit dhe Rikuperimit; shërbimet e ambulancave specialistike pediatrike dhe kirurgjike; Njësinë e Radiologjisë së fëmijëve; Sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara; Njësinë e Kirurgjisë Ditore dhe Endoskopisë së Fëmijëve; Sterilizimin qendror; Mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të porsalindurve; Departamentin e Kirurgjisë së fëmijëve dhe Departamentin e Onkologjisë Pediatrike”, thuhet në komunikatë.
Spitali pediatrik –kirurgjik në QKUK sipas MSh-së pritet të shënojë një kthesë të rëndësishme sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore terciare që do t’u ofrohen fëmijëve në Kosovë./21Media

Back to top button