75 vjeçari nga Malisheva i quajti mjekët “sorra të larme”
Beqiraj i nervozuar me mjekët, pasi nuk mundi të marrë shërbim në QKUK
75-vjeçari Halim Beqiraj nga Malisheva u zgjua herët sot për t’u nisur drejt Prishtinës dhe për të marrë shërbimin mjekësor në Ambulancën Specialistike në QKUK.
Mirëpo, ai dhe të gjithë pacientët e tjerë mëngjesin e sotëm nuk morën asnjë shërbim për shkak të grevës.
Beqiraj që iu desh të kthehej sërish në Malishevë pa kryer ndonjë punë nuk kurseu kritikat për mjekët. Madje, ai tha se ata nuk e meritojnë që t’iu rritet rroga pasi nuk kujdesen për pacientët.
“Unë kam ardhur prej komunës së Malishevës, jam nis në gjashtë ora atje. Kam ardhur, tash po duhet me u kthye prapë, 75 vjet. Jam i sëmurë me ceva, vjen këtu badihava. Dalin sikur sorrat e larme në kafe, doktorët kur duan vijnë kurdo s’vijnë hiç. Askush nuk i kontrollon…gjynah me iu dhanë pare, jo greva po duhet me ‘stupc’ për me i qitë prej këtu krejt, asnjë nuk duhet me i lanë këtu. Sikur me qenë privati vijnë këtu dhe për pacientë nuk ia ndin hiç”, tha ai.
Shumë pacientë mëngjesin e sotëm janë kthyer mbrapa nga QKUK pasi qysh në orën 07:00 të mëngjesit ka filluar greva tetë orëshe në të gjitha Klinikat Universitare, përjashtim të rasteve emergjente. Qytetarët që ia mësynë QKUK-së mëngjesin e sotëm për Kp u shprehën të mllefosur me gjendjen, ndërsa fajësuan institucionet e vendit, por edhe vetë mjekët. Ndërsa, sindikalistët arsyetuan këtë grevë.
Nënkryetari i Federata Sindikale e Shëndetësisë, Xhemajl Selmani tha se gjendja në shëndetësi është alarmante, teksa i fajësoi e gjithë klasën politike për gjendjen e krijuar.
Greva erdhi si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku pezullon deri në muajin mars Ligjin për Paga, teksa sot greva dy orëshe përveç në QKUK-së u mbajtën edhe në sistemin arsimor.