78 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë,  Flutura Beqo, tha se numri më i lartë i rasteve ditore është regjistruar në Shkodër.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 344 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 78 raste pozitive.  Një pjesë e mirë e rasteve ditore lidhen me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja. Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec.”, bëri të ditur Beqo.

Këtë të enjte u shënua një rënie e numrit të pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv. Aktualisht aty po trajtohen 76 pacientë, nga 82 që ishin një ditë më parë. Nga të shtruarit, 14 janë në terapi intensive dhe dy të intubuar.

“Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës”, shtoi Flutura Beqo.

Vdekje gjatë orëve të fundit nuk janë regjistruar, duke e lënë numrin total të viktimave 48.