Faik Konica, intelektual i shquar, veprimtar i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar ndërroi jetë 78 vjet më parë në Uashington të SHBA-ve më 15 dhjetor të vitit 1942. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Mësimet e para Konica i mori në vendlindje nga mësuesë privatë. Më pas ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve në dy vite shkollore 1883-1885 ku mësoi lëndë në italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kthehet në vendlindje për ndoshta një vit dhe më pas vijoi shkollimin në Liceun Perandorak të Gallatasarajit në Stamboll gjatë viteve 1886-1887.

Filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux, (Normandie); më 1893 shkoi në Lycée de Carcassonne (jugu i Francës) ku studioi deri më 1894, duke u përqëndruar në studimet klasike, letërsi dhe filozofi. Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e Kompozicionit në frëngjisht dhe në përkthimet latine. Përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie) në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) në 16 Nëntor 1895, ku u pagëzua i krishterë katolik me emrin Domenik, që e ka përdorur edhe në një letërkëmbim “beg Faik – Dominik Koniza”.

Në vitin 1895-1896 Konica filloi studimet pas-universitare tek Collège de France në Paris, ku u përqëndruar në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, me veprën e shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si erudit e stilist i përkryer dhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.