Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji kundër të pandehurve A.K, L.B, K.B, F.G, A.S, E.Z, H.K dhe L.B për shkak të veprës penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale mashtrim.

Gjykata ka njoftuar se të pandehurve A.K, L.B, K.B, F.G, A.S, E.Z, H.K dhe L.B iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për secilin veç e veç, pasi që Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi që në rastin konkret hetimi është në fazën fillestare dhe lënia në liri e të pandehurve paraqet rrezik real, se të njëjtit mund të shmangen nga ndjekja penale dhe të ndikojnë në dëshmitarë, kjo vepër është kryer përmes krimit kompjuterik dhe me qëndrimin në liri ekziston rreziku se të pandehurit përmes platformave të ndikojnë në dëshmi, duke shkatërruar ato apo ndikuar në to.

Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.