Pas takimit me udhëheqës të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e masave kundër COVID-19, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se bashkatdhetarëve të cilët vijnë në Kosovë, e që kanë pasaportë të Kosovës, nuk do t’ju kërkohet testi PCR. Ai ka përmendur edhe rrezikun e përhapjes së virusit me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë.

I pari i shëndetësisë në Kosovë tha se ky takim është koordinim i aktiviteteve të tyre, në mbikëqyrjes e masave anti-COVID.

“Duke parë që këto ditë kemi edhe fluks të madh të ardhjes së bashkatdhetarëve, ne duhet të jemi të kujdesshëm. Masat duhet të mbikëqyrin në mënyrë rigoroze edhe në pikat kufitare, por edhe në brenda territorit të Republikës së Kosovës. Në kuadër të koordinimit të aktiviteteve nuk guxon dhe nuk guxojmë që të na dështojë asnjë hallkë e mbikëqyrjes sepse atëherë dështojmë të gjithë për shkak të të njëjtës situatë. Është e kot që ne të marrim masa, edhe si qeveri edhe si MSH, nëse zbatimi i tyre apo mbikëqyrja mund të dështojë. Për këtë arsyeje sot kemi biseduar, i kemi koordinuar aktivitetet e mëtutjeshme, kemi nxjerrë edhe raporte të të gjitha niveleve edhe koordinimi që bëhet i punëve ditore nga policia, inspektorati qendror, sanitar dhe inspektoratet lokale. Gjithmonë në koordinim të plotë, edhe me kryetarët e komunave, edhe me shtabet emergjente”, ka theksuar ai.

Para gazetarëve, Zemaj ka bërë të ditur që të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë në këtë kohë, e që janë të pajisur me pasaportë të Kosovës, nuk do u kërkohet testi PCR, por që njëjtë nuk do të ndodhë edhe me ata që nuk kanë vendbanim e pasaportë kosovare.

Veç tjerash, ai siguroi se kanë kapacitete të mjaftueshme për mbikëqyrjen e masave anti-COVID.

“Qytetarët të cilët vijnë nga vendet e tjera në Kosovë, nëpër të gjitha pikave kufitare, por edhe nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ që kanë vendbanim në Kosovë, pasaportë të Republikës së Kosovës, nuk kanë nevojë që me rastin e hyrjes në vendin tonë të kenë teste PCR, ndërsa me rastin e hyrjes në Kosovë, testi PCR u kërkohet qytetarëve të cilëve nuk kanë vendbanim në Kosovë, nëse nuk e kanë testin PCR detyrohen dhe obligohen që të shkojnë në vetizolim për shtatë ditë masë kujdesi. Për këtë arsye edhe sot këta persona që detyrohen të shkojnë në vetizolim, do të shtohet masa e mbikëqyrjes edhe nga inspektoratet edhe nga shtabet komunale, por edhe nga Policia e Kosovës. Në kuadër të kësaj ju e dini që i kemi shtuar kapacitetet sa i përket rritjes së inspektorëve. Janë më shumë se 95 inspektorë, të cilat i janë bashkangjitur Inspektoratit Sanitar”, ka shtuar ai.

Tutje, Zemaj tha se nuk do të ketë mbyllje si masë, ashtu si kanë bërë edhe shtetet e tjera, por që qytetarët duhet të kenë kujdes gjatë festave.

Ai ka ftuar qytetarët që të vaksinohen kundër gripit sezonal.

“Të shfrytëzojnë të drejtën e vaksinimit, me vaksinat e gripit sezonal, ka doza të mjaftueshme, andaj vaksinohuni ju lutem. Është e shëndetshme, janë të kualitetit të lartë por edhe dëshira jonë edhe profesionistëve shëndetësorë është që të ketë shtrirje sa më të madhe”, ka theksuar ai.