“Arsyet janë këto postime”, reagon Shqipe Hetemi Selimi

(Lajm i përditësuar)
“Arsyet janë këto postime”, reagon Shqipe Hetemi Selimi
Deputetja e LVV-së Shqipe Hetemi Selimi tregoi arsyet pse nuk e votoi sot të propozuaren e partisë së saj për kryetare të Kuvendit, Donika Gërvalla.
Ajo tha se mospjesëmarrja e saj në votim nuk lidhet me arsye partiake, por për ato çfarë Gërvalla para më shumë se pesë vjetësh kishte deklaruar për Rexhep Selimin.
“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes.”, shkroi Hetemi Selimi në Facebook, ku bashkangjiti edhe postimet e Gërvallës./21Media

Shqipe Mehmeti Selimi nuk e votoi Donika Gërvallen për kryetare të Kuvendit
Deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Mehmeti Selimi, nuk ka votuar sot për Donika Gërvallen, e cila ishte kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në pamjet që shihen nga Kuvendi i Kosovës, deputetja e VV-së, Shqipe Selimi nuk ka votuar fare gjatë procesit të votimit për deputeten nga radhët e koalicionit Guxo–LVV–Alternativa, Donika Gërvalla.
Deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti Selimi është bashkëshortja e Rexhep Selimit.
Për këtë proces të votimit, kp ka tentuar të kontaktojë deputeten Selimi, por nuk e ka hapur telefonin.
Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentare sërish emrin e Albulena Haxhiut.
Deputetët e partive të tjera nuk dhanë përkrahje për kandidaturën e saj rrjedhimisht Haxhiu mori 57 vota pro 56 vota kundër dhe 3 deputetë abstenuan.
Pas kandidaturës së Haxhiut, kandidatura tjetër e LVV-së ishte Donika Gërvalla.
Njëjtë si Haxhiu, as emri i Gërvallës nuk gjeti përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime nuk mjaftuan që Gërvalla të zgjidhet kryeparlamentare.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfundoi seancën e sotme duke caktuar 22 gushtin si datë të mbledhjes tjetër të deputetëve.
Seanca e radhës mbahet të premten në ora 11:00.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?