Pavarësisht se ditëve të fundit në vend ka rritje të rasteve të reja me COVID-19, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës e të Mitrovicës së Veriut nuk do të anulohen.

Pikërisht për shkak të pandemisë në muajin mars ishin shtyrë zgjedhjet për të parin e Komunës së Podujevës, por tashmë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka, thotë se nuk beson që do të ketë shtyrje të serishme të zgjedhjeve për këto dy komuna.

Megjithatë, ajo potencon se nëse do të ketë një kërkesë të tillë nga institucionet shëndetësore, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës e Ministria e Shëndetësisë, do t’i drejtohen presidentit që të vendosë për këto zgjedhje.

“Nuk e besoj (se do të ketë shtyrje) sepse praktikisht e kemi të njëjtën situatë edhe në qoftë se i shtyjmë gjithsesi do të përballemi me COVID deri në momentin kur në të gjithë botën të menaxhohet në një mënyrë tjetër, nuk besoj që do të kemi shtyrje të zgjedhjeve, sepse gjithandej nëpër botë janë duke u mbajtur zgjedhjet shohim edhe në SHBA zgjedhjet janë duke u mbajtur. Në fund të fundit ajo është vendim i cili nuk varet vetëm nga ne. Në qoftë se kemi një kërkesë të tillë, natyrisht që ne do t’i drejtohemi presidentit si personi i vetëm i cili ka diskrecion që të vendosë lidhur me shtyrjen e këtyre zgjedhjeve”, thotë ajo.

Kryetarja e KQZ-së tregon se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që zgjedhjet në dy komunat të mbahen pa ndonjë problem.

Mirëpo, ajo thotë se organizimi i këtyre zgjedhjeve është sfidë pikërisht për shkak të pandemisë.

“Menjëherë pasi që kemi marrë dekretin nga Presidenti i Republikës së Kosovës ne kemi filluar me përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, të cilat është dashur që të përgatiten që nga fillimi, pra të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore. Ndërsa, sa i përket atyre të Podujevës aty ku kemi mbetur, pasi që më 14 mars e dimë që janë shtyrë për shkak të pandemisë, do të thotë kemi vazhduar veprimet të cilat kanë mbetur pa u përfunduar. Jemi duke i kryer të gjitha përgatitjet teknike për këto zgjedhje, natyrisht gjithmonë duke u fokusuar edhe në situatën aktuale e cila ka të bëjë me pandeminë. Do të jetë sfidë (organizimi i zgjedhjeve) sepse tashmë po e shohim që këto ditë është duke u rritur vazhdimisht numri i të infektuarve, por ne jemi në kontakt me IKSHPK-në dhe varësisht nga instruksionet që do t’i marrim nga ata ashtu edhe ne do të veprojmë”, thotë Daka.

Sa i përket masave që do të ndërmarrin për mbrojtje nga COVID-19, e para e KQZ-së thotë se do të veprojnë konform manualit dhe do të sigurohen që të respektohen të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së.

Daka thotë se në rend të parë është siguria e qytetarëve dhe shëndeti i tyre.

“E kemi një manual se si të sillemi gjatë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë tubimeve zgjedhore, por ne gjithsesi në qoftë se në ndërkohë marrim ndonjë instruksion tjetër do t’i përshtatim. Pra klasën do ta aranzhojmë ashtu që të ruajmë distancën e cila kërkohet me ligj por edhe të gjithë të kenë me vete maskat mbrojtëse dhe ne do t’i vendosim edhe dezinfektuesit në çdo klasë. Natyrisht që do të ketë kosto shtesë, por gjithsesi në rend të parë është siguria e qytetarëve dhe shëndeti i tyre”, thotë ajo.

Zgjedhjet për të parin e Komunës së Podujevës dhe atij të Mitrovicës së Veriut do të mbahen me 29 nëntor. Kujtojmë që këto dy komuna kanë mbetur pa kryetarë pasi të njëjtit kanë marrë pozita në Qeverinë e Kosovës./kp