Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të përgjigjet nëse ai do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar për vazhdimin e dialogut Kosovë -Serbi.

Qysh dje nga Brukseli, pas takimit që pati shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell me presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiq u zbulua data e takimit në mes Kosovës dhe Serbisë për dialogun. Në konferencën për media Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Borrel tha se 11 maj është data e takimit.

Megjithatë Qeveria e Kosovës e konsideroi këtë vendim si të njëanshëm për të cilën nuk është njoftuar zyra e kryeministrit. “Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve.”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu derisa shtoi se “Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”,

Por, përkundër kësaj a do t’i përgjigjet kryeministri  Kurti  këtij takimit ende nuk dihet, së paku për këtë Albin Kurti sot nuk është përgjigjur derisa është pyetur nga gazetarët gjatë homazheve që beri para memorialit për të pagjeturit në Kosovë.

Kryeministri Kurti mbrëmë ka diskutuar edhe me  ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett dhe diplomatin amerikan Matthew Palmer lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Këtë e bëri të ditur ambasadori Kosnett, përmes një postimi në Twitter ka shtuar se dialogu është thelbësor për integrimin euro-atlantik të Kosovës. “Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”, ka shkruar ai.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike. Pastaj, pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt. /21Media