A do të ndryshojë Qeveria qëndrim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje mohoi se Qeveria e Kosovës ka ndonjë propozim për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithëse ditë më parë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, kishte thënë se Qeveria e Kosovës ka një propozim të tillë.
Lidhur me këtë analisti, Fidan Ukaj për portalin rtv21.tv mendon se ka lëvizje përpara në formimin e Asociacionit, por sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më transparente. “Të tregojë rreth propozimeve të saj apo të ndërkombëtareve nëse ka, dhe të largohet nga praktikat e fshehjes se bisedimeve dhe në fund kur ajo të pranojë një propozim apo të bije dakord për ndonjë propozim të thotë se kishim presion ndërkombëtar dhe pranuam siç jemi mësuar të dëgjojmë.”, thotë ai.
Kurse, analisti Driton Arifi mendon se Asociacioni do të modifikohet e do të implementohet brenda kornizës së Kushtetutës të Republikës së Kosovës.  “Pra ashtu edhe siç kanë kërkuar partnerët tanë nuk besoj që ka mundësi të tjera të bëhet jashtë kornizave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thotë Arifi.
Analistë thonë se është fakt presioni i BE-së për formimin e Asociacionit. Fidan Uka thotë se presioni sa i përket kësaj çështje ka qenë edhe në të kaluarën do të shtohet edhe më shumë.“Sa i përket ndryshimit te qëndrimeve të Qeverisë Kurti, kjo Qeveri e ky Kryeministër tashmë e ka të dëshmuar se atë që thotë, e ka për konsum te brendshëm, e për vota, e që dallon nga ajo qe vepron, që i bije se premtimet e qëndrimet e kryeministrit Kurti nga e kaluara nga ajo që po shohim sot janë diametralisht të kundërta, edhe rreth Asociacionit mendojë se zotëri Kurti do të ndërrojë qëndrim dhe në fund do ta paraqesë si fitore te tij se ka arrit të krijojë një Asociacion që nuk e dëmton shtetin e vendin.”, deklaron Ukaj.
Kurse, analisti Driton Arifi vlerëson se Bashkimi Evropian po ushtron presion për formimin e Asociacionit që nga fillimi i negociatave Kosovë- Serbi. Sipas tij, me mos formimin e këtij Asociacioni po kushtëzohet e ardhmja evropiane e Kosovës. “Pra nëse shikoni Kosovës në secilin aspekt iu ka thënë -Jo përparimit të Kosovës në Bashkimin Evropian deri sa nuk zgjidhet në dialogu, pra ky ndoshta është edhe një mjet i presionit normalisht jo i drejtë por nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian besoj që do të jetë siç e kemi – Jo për vizat, Jo për pesë njohjet Jo edhe në Këshillin e Evropës njëfarë forme, pra të gjitha këto Jo sa i përket vetëm nga këndvështrimi Evropian janë presion i mjaftueshëm që Kosova të mos mundet të lëviz tutje”, vlerëson Arifi.
Sipas Arifit, presion për këtë çështje ndaj Kosovës po ushtrohet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Unë jam i bindur që jo vetëm Bashkimi Evropian por edhe SHBA-të po ushtrojnë presion sa i përket Asociacionit, në deklaratën publike të Escobar kur ishte në Prishtinë tha që duhet të gjendet një modalitet për Asociacionin që është brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, pra asgjë nuk kanë kërkuar jashtë rregullave kushtetuese dhe kjo nënkupton se presioni është aty që pa u bë ajo, nuk mund të ketë përparim. Dhe tash a do ta ndryshojë qeveria qëndrimin rreth këtyre çështjeve.”, thotë Arifi.
Ai mendon se qeveria ka dy opsione përpara, dhe sipas tij, nëse tregohet pragmatike këtë çështje vendi mund të ketë përparim në shumë drejtime. “Por nëse tregohet kokëfortë dhe nuk don të lëvizë tutje por vetëm bën po themi marketing politik pa përmbajtje, atëherë nuk besoj se kjo Qeveri nuk do ta arrijë ta përfundoj dialogun, pra i ka dy opsione por sipas mendimit tim besoj se Qeveria do të lëviz me hapa të ngadalshëm por sa do të jenë ato të mjaftueshme për partnerët tanë koha do ta tregojë të vërtetën”, deklaron Arifi.
Siç sqaron edhe analisti Ukaj për portalin rtv21.tv krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është derivat i marrëveshjes se propozuar nga plani i Marti Ahtisari, nga e cila marrëveshje u shpall edhe Pavarësia e Kosovës me 17 shkurt 2008. Në dialogun e filluar në vitin 2011 në mes Kosovës e Serbisë që fillimisht u quajt dialog teknik e me vonë kaloi në dialog politik apo për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, përgjatë këtyre bisedimeve, Kosovë – Serbi në vitin 2013 në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel pala kosovare merr obligime për formimin e këtij Asociacioni.
Tutje Ukaj kujton se pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit, dhe në pyetjen e dërguar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga pas nënshkrimit për formimin e Asociacionit në Bruksel, se krijimi i këtij Asociacionit a është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës se Kosovës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës. Kjo marrëveshje parasheh se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. Bashkimi Evropian ka sqaruar së fundmi se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës./21Media

Back to top button