Skuadra e Feronikelit nuk e ka nisur aspak mirë edicionin e ri garues të Superligës së Kosovës pasi në pesë ndeshjet e para ata kanë arritur vetëm një fitore, dy barazime dhe dy humbje.

Zyrtari për media i Feronikelit, Erlind Krasniqi, ka thënë për KP se do të merren masa në këtë drejtim pasi objektivat e klubit janë të larta këtë sezon dhe loja në fushë nuk po përputhet me to.

“Rezultatet jo të mira janë të dukshme dhe është normale që nuk i kemi pritur, pasi që kanë ardhur shumë përforcime, për secilën pozitë të lojës. Ne si klub po e përcjellim gjendjen me shumë shqetësim por edhe me dëshirë për përmirësim ndeshje pas ndeshje. Patëm një fillim të mirë ndaj Gjilanit, por nuk na mbajti gjatë, pasi ndeshjet tjera patëm rënie në rezultat dhe lojë.”

“Masa do te merren patjetër pasi që objektivat e klubit janë të larta këtë sezon dhe loja në fushë nuk po përputhet me to. Sidoqoftë së pari duhet të mblidhet klubi dhe trajneri për të analizuar punën deri këtu dhe hapat që duhen marrë. Një fakt tjetër qe ka shtyrë te këto rezultate është orari i ngjeshur, ku brenda 9 ditëve janë zhvilluar 4 ndeshje.”

I pyetur nga KosovaPress se cila është e ardhmja e trajnerit Afrim Toverlani, Krasniqi tha:

“Rezultatet nuk janë pasqyrim i punës së Toverlanit pasi që të gjithë i dime cilësitë e tij si trajner dhe nuk diskutohen. Pas ndeshjes ai tha se do të takohet me presidentin e klubit për të diskutuar të ardhmen e tij. Deri në atë takim nuk mund të them asgjë më shumë.”, shtoi në fund Krasniqi.