Deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka folur për pozitën e saj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Thotë se ‘de fakto’ është përjashtuar nga partia.

“Unë jam rikthy në Aleancë për me vazhduar. Kam telashe, dmth është njëfarë përjashtimi “de facto” të cilën ma kanë bo në Aleancë”, tha ajo në televizionin publik.

“‘De facto’ unë ka pesë-gjashtë muaj që unë nuk jam thirrë në asnjë takim”, shpjegon ajo duke theksuar se mes saj dhe partisë së Ramush Haradinajt ekziston një “hendek”.

Por, a do të bashkohet ajo me iniciativën që po e krijon Vjosa Osmani. “Unë Vjosen e kam shoqe moti dhe s’flasim për oferta”, tha Kadaj-Bujupi, derisa shtoi se “Gratë nuk bëjnë marrëveshje kështu përmes ofertave e pozitave”.

“Nëse është një projekt shumë i mirë, ajo është tjetër çka. Sigurisht që kisha dashtë me pa gra në udhëheqje të partive politike. Nuk e kemi biseduar asnjëherë. Nuk e kam mëndu’, theksoi Kadaj-Bujupi.

Kujtojmë që Vjosa Osmani, u.d së presidentes së Kosovës, në RTV21 kishte bërë të ditur se po konsolidohet një listë, e cila sipas saj do të përmbajë njerëz me integritet, me të cilën do të garojë në zgjedhjet, të cilat Osmani beson se do të mbahen së shpejti.