Shala thotë që i mungon të ushtrojë profesionin e mjekut

Shala thotë që i mungon të ushtrojë profesionin e mjekut

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ishte i ftuar sot në emisionin “1 Kafe prej Shpisë”.

Ministri Shala në këtë emision shpalosi detaje të padëgjuara më parë për jetën e tij private, përcjellë rtv21.tv

Shala tregoi që me profesion është mjek, mirëpo dëshira e tij për të kontribuuar më shumë për vendin e ka orientuar në pozitën ku është tash.

Atëherë kështu për me sqarua, unë me profesion jam mjek. Po, jeta edhe dëshira ime për me shërbye dhe për me kontribuua më shumë për vendin tim, edhe dëshira ime për me u marrë me politikën, do të thotë më ka orientua ku jam tash.”, tha ai.

Ministri Shala tregoi që ka zgjedhur të studiojë mjekësinë për shkak se edhe prindërit e tij e kanë pasur të njëjtin profesion, përcjellë rtv21.tv

Edhe mjekësia ka qenë një profesion që jam rritë unë, do të thotë edhe babin edhe nënën i kam pasur nga profesioni i mjekësisë dhe unë jam rritë në atë frymë. E kam dashtë dhe vazhdojë me dashtë mjekësinë”, tha ai.

Shala tha që i mungon profesioni i mjekut dhe këtë mungesë e kalon duke i këshilluar familjarët dhe miqtë me terapi kur kanë nevojë.

Kujtojmë që ministri Shala ende nuk e ka bërë publike biografinë e tij në faqen zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Përveç intervistës ku shpalosi detaje nga jeta e tij private, Endrit Shala luajti edhe “Lojën e javës” së bashku me Bleronën e Visarin, ku këtë herë lojën e humbi Visari./21Media