Humbja e vetëm 30 minutave të gjumit në ditë mund të ketë efekte afatgjata në peshën e trupit dhe metabolizmin, sipas një studimi. Për njerëzit që nuk flenë mjaftueshëm gjatë gjashtë muajve, rezistenca ndaj insulinës rritet ndjeshëm, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2.

Diabeti shoqërohet me rreziqe të humbjes së shikimit, sulmit në zemër dhe goditjes në tru, si dhe dëmtimit të nervave dhe enëve të gjakut.

“Ne zbuluam se humbja e vetëm 30 minutave të gjumit në ditë ka një efekt të rëndësishëm në mbipesha dhe rezistencën ndaj insulinës”, ka thënë profesori Shahrad Taheri pranë Kolegjit Mjekësor Weill Cornell në Katar.

Shkencëtarët kanë përcaktuar se ndryshimi i bioritmit duke shkurtuar gjumin ndryshon ritmin e sekretimit të hormoneve dhe çon në probleme shëndetësore. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar tashmë që puna në ndërrime rrit shanset e zhvillimit të diabetit me më shumë se 30%.

Shkencëtarët nga Universiteti i Bristol dhe Kolegji Mjekësor Weill Cornell kanë studiuar në një mostër prej 552 personash se sa njerëz flenë më pak gjatë ditëve të javës sesa gjatë fundjavave dhe si kjo humbje e gjumit ndikon në shëndetin e tyre, shkruan Science Daily.

Profesor Taheri ka deklaruar se humbja e gjumit është një fenomen i përhapur në shoqërinë moderne dhe vetëm në dhjetë vjetët e fundit është zbuluar efekti i mungesës së gjumit në metabolizëm.

Gjetjet shkencore kanë treguar se shërimi i gjumit duhet të përfshihet në trajtimin e mbipeshës dhe diabetit.