Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili ditë më parë deklaroi se me sjelljen e Serbisë dhe BE-së dialogu po e humb kuptimin, nga RTV21 u pyet se a bjen ndjesh ky qëndrim i tij me politikën e kryeministrit Avdullah Hotit, i cili thotë se në Bruksel po diskutohet për njohje reciproke. Mustafa tha se në Bruksel po dialogohet për njohje bazuar në platformën e Qeverisë Hoti, por sipas tij, kjo nuk është qasja e Serbisë, e cila siç thotë ai, po provokon marrëveshjen në Washington dhe e cilëson si një eskalim të ri të Serbisë.

“Në Bruksel po dialogohet për njohje reciproke bazuar në Platformën e Qeverisë, të cilën e ndjek Kryeministri Hoti. Kjo është qasja e Kosovës. Por po duket se kjo nuk është qasja e Serbisë. Qeveria e Serbisë u betua gjate zgjedhjes së saj se do ta ruajë “Kosovën dhe Metohinë”. Nuk ka pasur reagime të BE-së për këtë veprim që është edhe provokim për dialogun. Është provokim edhe për Marrëveshjen e Washingtonit. Eshtë një eskalim i ri i Serbisë, i cili vë në pikëpyetje konstruktivitetin e tyre në procesin e dialogut”, tha Mustafa në një përgjigje për RTV21.

Ai shtoi se Serbia po e akuzon Kosovën për mosimplementim të Asociacionit, por Serbia nuk po tregon se janë me dhjetëra marrëveshje qe i ka nënshkruar dhe nuk i ka implementuar.

Edhe sot në një intervistë për Tanjug, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha se s’mund ta pranojnë qëndrimin e Prishtinës se pas njohjes nga Serbia do ta formojë Asociacionin.

Nga ana tjetë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke përgjigjur për RTV21, tha se dialgou ndërmjet Kosovës dhe Serbisë  ka kuptim vetëm nëse hidhet në tavolinë propozimi për njohje reciproke. “Përndryshe është krejt i pakuptimtë , krejt i panevojshëm dhe është i dështuar dhe në favor të Serbisë si i tillë që po zhvillohet.”, tha ai./21Media