Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka zgjedhur të reagojë për arrestimin e Kadri Veselit, në ditën kur ai pritet të dal para prokurorëve në Hagë. Me këtë rast Ismaili ka ngritur pyetjen “a mund të paramendohen Isa Boletini e Hasan Prishtina në një gjyq që gjykon përpjekjet e tyre për liri?”

Në një shkrim në Facebook, Ismaili ka treguar se Veseli para se të udhëtonte për në Hagë ka vizituar zyrat e PDK-së në Prishtinë.

“Në ditën që udhëtoi për në Hagë, pas përshëndetjes me familjen, Kryetari Veseli erdhi në zyrat e PDK-së që të përshëndetet edhe me ne. I buzëqeshur, si gjithëmonë, na dha kurajo. Ishte kokëlartë e i vendosur, sikur atëherë kur si një djalë i ri la studimet për t’i rrokur armët kundër Serbisë dhe regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Një jetë të tërë me qëllime të qarta, ideale të larta dhe plot kuptim. Një rrugëtim i vështirë, por për të mision i domosdoshëm, për përmbushjen e amanetit të mijëra shqiptarëve të vrarë për liri. Kadri Veseli ishte një djalë i ri kur nisi luftën, por ëndërra për liri ishte e vjetër me shekuj. Kjo ëndërr shekullore i dha fuqi që së bashku me Hashim Thaçin e shumë shokë të tjerë të themelojnë forcën ushtarake më të suksesshme në historinë e Kosovës – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Ismaili.

Ai tutje ka thënë se të gjithë ata që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë dhe t’i mbështesin Hashim Thaçin e Kadri Veselin në rrugëtimin e tyre politik, në shpalljen e pavarësisë, në forcimin e shtetit dhe krijimin e ushtrisë, sot ndihen krenarë dhe të fortë përballë kësaj beteje.

“Krenarë që drejtuesit e UÇK-së jetësuan amanetin e dëshmorëve për liri dhe pavarësi. Sot, mbi 20 vjet pas luftës, djemtë tanë të lirisë po kthehen për ta mbrojtur edhe një herë luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës. Kjo tregon për sfidat e mëdha që i kemi si shtet dhe si komb. Tentimi për ta njollosur projektin madhështor dhe historik të çlirimit të Kosovës është tentim për ta njollosur vuajtjen tonë kolektive si shqiptarë”, ka shkruar tutje Ismaili, duke ngritur pyetjen se “a mund të paramendohen Isa Boletini e Hasan Prishtina në një gjyq që gjykon përpjekjet e tyre për liri?”.

Lirinë dhe shtetin e kemi fituar falë qëndresës së popullit dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, fatkeqsisht sipas Ismailit, beteja për shtetin dhe historinë tonë ende nuk ka përfunduar.

“Në këtë betejë të re na takon të gjithëve që ta mbrojmë historinë dhe ta forcojmë të ardhmen. Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Sali Mustafa me krenari do të rikonfirmojnë se lufta e tyre për liri ishte e drejtë. Populli i Kosovës me krenari do të tregojë që liria ka emër dhe se UÇK është emri i saj”, ka përfunduar sekretari i PDK-së.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot do të paraqitet para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Paraqitja e tij do të bëhet në ora 15:00.

Dje para Specilaes u deklaruan të pafajshëm ish presidenti i Kosovës njëherësh ish drejtori politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Hashim Thaci dhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi./21Media