Mbi ulëse e me ulëse në duar po zbaviten të rinjtë nëpër plazhet e Ohrit. E kjo por ndodh gjatë kohës kur vendi çdo ditë regjistron numër treshifrorë të të infektuarve me Covid-19. Nga videot dhe fotografitë shihet se nuk respektohen masat mbrojtëse, respektivisht nuk mbahet distancë e as maska. Ndërsa, këtë gjendje kaotike mediat e cilësojnë si Vuhani i Maqedonisë.

Ndërkohë, dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe alarmoi për gjendjen në plazhe. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook shkroi se shumë shpejt shezlloni i plazhit mund të zëvendësohet me krevatin e spitalit.

“Ti je në pushime por virusi nuk është! Mbaj maskë mbrojtëse ose shall kur nuk mundesh të mbash distancë fizike. Të mbrohemi nga Covid-19, të respektojmë masat që të ndalojmë përhapjen e këtij virusi të paparashikueshëm. Të jemi të përgjegjshëm për më të afërmit e tanë rreth nesh”, theksoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ylber Kokale, ish i infektuar dhe mjek nga Dibra tha se disa ditë rresht ka qenë i pranishëm në plazhet në Ohër dhe Strugë dhe tha se ajo çfarë ka parë atje është jashtë çdo logjike për të mbrojtur nga Covid-19. Ai shtoi se nuk është aq shumë te protokollet se sa te ajo që qytetarët e respektojnë distancën.

“Kam qenë prezent në qytetin e Strugës dhe Ohrit dhe ka qenë një masivitet i madh i popullatës, mos të shprehem gabimisht ndoshta nuk ishte centimetër bosh me njerëz e lëre më me makina ku parkohen, liqeni i stërmbushur me të rritur dhe fëmijë, protokolle nuk respektohen. Në vende turistike të them të drejtën ndoshta edhe aspak nuk respektohen, sepse ajo turmë e madhe të cilën me sytë e mi e pash dhe jo vetëm dje por edhe sot dhe gjatë gjithë javës shkaku i vikendit të zgjatur plazhet ishin të stërmbushura”, u shpreh Ylber Kokale.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme informoi se brenda 24 orëve në gjithë territorin e vendit janë regjistruar 359 shkelje për mos mbajtjen e maskës mbrojtëse, kurse gjendja me koronavirusin në vendin tonë rezulton se për momentin ka 3675 raste aktive me Covid-19, ndërsa gjithsej 497 persona kanë humbur jetën prej komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga virusi, raporton TV21./21Media