Pas Ramush Haradinajt, edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ali Berisha, ka deklaruar se subjekti i tyre mbetet i përkushtuar për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe unitetin e spektrit politik gjithëpërfshirës.

Në një postim në “Facebook” ai ka thënë se janë të gatshëm të shkojnë edhe në zgjedhje.

“AAK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe unitetin e spektrit politik gjithëpërfshirës. AAK respekton në punë, si partnerët e koalicionit ashtu edhe të opozitës. Krahas kësaj AAK është e gatshme për çdo variant në të mirë të funksionimit të institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjet”, ka shkruar Berisha.

AAK-ja tashmë ka nxjerrë kandidaturën e Ramush Haradinajt për president të Kosovës dhe është e vetmja kandidaturë publike në skenën kosovare deri më tash.

Ky subjekt ka paralajmëruar se nëse kandidatura e Haradinajt nuk gjen mbështetje nga partnerët, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.