Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po i kërkon që Qeverisë Kurti të anulojë gjatë ditës sotme vendimin për shtesat ndaj pensionistëve. Në partinë e Ramush Haradinajt thonë se heqja e 20 eurove prej shtesave ndaj të moshuarve është veprim i papërgjegjshëm.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi përmes një konference për medie tha se ky vendim bie ndesh me premtimet e kryeministrit Kurti për barazi sociale.

“Kërkojmë nga Kryeministri i Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin për shtesat e 20 eurove që janë hequr pensionistëve. Kjo mënyrë e veprimit të qeverisë është në vazhdën e gabimeve të mëhershme që i ka bërë dhe po vazhdon të fillojë krizën në vend. Pikërisht në vazhdën e premtimeve për barazi sociale dhe mirëqenie qytetare ka ardhur në pushtet, dhe ka rrezikuar kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë në këtë rast pensionistët. Ka segmente tjera që qeveria mund të kursehet, sidomos në pjesën që e ka quajtur luksoze të qeverive të kaluara. Po ashtu edhe kursime të tjera që mund të bëhen në qeverisje, por jo të kategorisë të cilat janë më të rrezikuarat në shoqëri”, tha ai.

Nga ana tjterër, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka dhënë një sqarim për vendimin e djeshëm të Qeverisë lidhur për uljen e shtesave të pensioneve nga 30 në 10 euro. Murati ka thënë se qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj, dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi. Ndërsa sipas tij, vendimi i djeshëm parasheh që këto shtesa të vazhdojnë përgjatë tërë vitit./21Media