Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se në bisedimet me Serbinë nuk duhet diskutuar për territorit ne Republikës së Kosovës. Deputetja Time Kadrijaj tha se duhet të dinë agjendën dhe platformën për marrëveshjen me Serbinë.

Ajo tha se do të mbajnë nën mbikëqyrje qeverinë në procesin e dialogut.

“Ajo çka na intereson të dimë është agjenda, platforma, a do të ketë ndonjë marrëveshje dhe qartësia për marrëveshje. Është e çuditshme për disa parti politike të cilat që janë në qeveri pranojnë të dialogojnë, pranojnë të jenë pjesë e ekipeve negociatore, ndërsa në momentin që dalin në opozitë, refuzojnë edhe dialogun që udhëhiqet nga aleati kryesor i Kosovës siç janë ShBA. Është momentum që partitë politike të jenë bashkë dhe të unifikuara për dialog, të kornizojnë dialogun dhe saktë të dihet çka do të diskutohet”, tha Kadrijaj.

Ndër të tjera, deputetja e AAK-së tha se nga Bashkimi Evropian duhet të kërkohet liberalizimi i vizave dhe njohje nga pesë vendet që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Ajo tha se AAK beson që ka definim të procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe sipas saj duhet të bazohet në parimin e integritetit territorial ku kufijtë e Kosovës të mbesin ata të 17 shkurtit 2008.

Kadrijaj tha se nuk bën të flitet për pushtet të dytë Brenda Republikës së Kosovës dhe duhet të bëhet ruajtja e kushtetutshmërisë.