Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kërkon që të plagosurit e demonstratave të viteve ’90-ta të trajtohen me ligj.

Deputetja Teuta Haxhiu në një konferencë për media, sot prezantoi nismën ligjore, e cila do të mundësojë trajtimin edhe të personave të plagosur në periudha të ndryshme kohore.

Ajo tha se kjo kërkesë është e shoqatës së të plagosurve, në periudha të ndryshme historike.

“Pra kërkesa është e shoqatës së të plagosurve në periudha të ndryshme historike gjatë rezistencës tonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Pra, flasim për të plagosurit që neve nuk na u kanë prezantuar në numër të madh si komision për të drejta të njeriut dhe si grup parlamentar, siç na kanë prezantuar jo më shume se 120 prej tyre, dhe ata kërkojnë trajtim të barabartë që janë plagos tash gjatë demonstratave të ndryshme që kanë ndodhë në vend. Thjeshtë ne kemi fillua këtë nismë me të vetmen kërkese, nenin 8 të këtij ligji pra ,dhe kërkojmë vetëm një trajtim të barabarte të këtyre të plagosurve”, tha Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se kërkesa është për një plotësim ndryshim të ligjit, që është shumë i nevojshëm për njerëzit që kanë bërë rezistencë në periudha të ndryshme.

“Do të thotë është një plotësim ndryshim i ligjit, shumë i nevojshëm për njerëzit që kanë bërë rezistencë në periudha të ndryshme, të paraluftës të rezistencës për lirinë e vendit. Është një numër relativisht i vogël që janë lajmërua, mirëpo kur merret vesh, kur njerëzit të informohen, mundet që numri edhe me u dyfishua, prapë se prapë është numër i vogël por nuk bënë pa u trajtua këta persona”, tha Berisha.