AAK kërkon të hiqet kushtëzimi diskriminues për pensionistët kontributpagues

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar të martën plotësim ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale veçanërisht të ndryshimin e nenit 8.2, që sipas këtij subjekti politik, është diskriminues.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka kërkuar të ndryshohet ligji për skemat pensionale që parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vjet të përvojë të punës para 1 janarit të vitit 1999.
Në konferencën për media, deputeti Dreshaj kërkoi të hiqet kushtëzimi diskriminues për pensionistët kontribudhënës.
“Në seancën e radhës njëra ndër temat është edhe kjo çështje. Me propozimin që ne kemi iniciuar parashihet që pensionet kontributdhënës t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para 1 janarit 1999. Ka raste që për një ditë ose për një javë individët e kanë humbur të drejtën e gëzimit të pensionit kontribut – dhënës. Besojmë se kjo iniciativë do të mbështetet nga Grupet e tjera parlamentare e sidomos nga partia e cila ka shumicën në parlament. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jo logjik, i dëmshëm, diskriminues për punëtorët e viteve të ’90-ta, të cilët ishin larguar dhunshëm nga puna, pa pajtimin e tyre atëherë… Kërkesa jonë si grup parlamentar është që të ndalet ky diskriminim dhe kërkojmë mbështetjen e gjithë kolegëve deputetë pa marrë parasysh përkatësinë politike”, theksoi Dreshaj.
Kjo nismë legjislative e paraqitur nga GP i AAK-së më 13 maj 2022 sipas deputetit Dreshaj ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme që të procedohet në parlament për votim.
Implikimet buxhetore janë diku rreth 100 milionë euro, por AAK-ja mendon se janë të arsyeshme për qeverinë e vendit.
Ndërsa, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka komentuar takimin e sotëm ndërmjet SBASHK-ut dhe kryeministrit Kurti.
Tahiti tha se kryeministri Kurti ishte dashur të ofrojë zgjidhje për grevistët që mësimi të fillojë nesër.
“Takimi i sotëm i kryeministrit me ministra është dashur të ofrojë zgjidhje dhe nesër të fillojë mësimi në të gjitha shkollat. Çka ndodhi sot? Sot kryeministri e keqpërdori gatishmërinë e sindikatave, duke mos ofruar zgjidhje dhe duke synuar që t’ua tregojë vendin dhe t’i përçajë këto sindikata. Nuk është sot e rëndësishme dhe askujt nuk i intereson se si ka folur kryeministri brenda takimit, as si vëlla me vëlla, e me nip, e me dajë. Sot secilit prej nesh i intereson që nesër të fillojë mësimi. Kryeministri sot nuk k ofruar zgjidhje, sot edhe një herë u ushtruar arroganca e pushtetit dhe egoja e cila e përshkruan këtë qeveri”, theksoi Tahiri.
Në takimin e sotëm ndërmjet Këshillit Grevist të BSPK-së dhe kryeministrit Albin Kurti nuk është arritur një marrëveshje për plotësimin e kërkesave të grevistëve për ndarjen nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave. Greva në arsim ka nis nga 25 gushti e që po vazhdon edhe në javën e tretë.

Back to top button