Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas kalimit të propozimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore në Kosovë.

Në një reagim për media, AAK thotë propozimi që shuma 11 milionë euro, të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, kaloi sot nga deputetët e Vetëvendosjes në Komisionin për Ekonomi lidhur me pagimin e rrymës për serbët në veri.

“Është e habitshme, që pas arritjes së pavarësimit energjetik, Qeveria e Kosovës të bie në shantazh të serbëve të veriut. Përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, i cili ndërtohet me djersën dhe kontributin e shumicës prej nesh, nga ky veprim, kemi një zinxhir të dëmeve të tjera”, thuhet në reagim.

AAK thekson se me këtë Kuvendi pajtohet që Republika e Kosovës, nuk ka potencial të jetë vend jo diskriminues e shtet i së drejtës dhe është shtet që inkurajon shkelësit e ligjit, ta keqpërdorin rrymën, duke e shfrytëzuar jo racionalisht dhe madje duke e shfrytëzuar me qëllime të dëmtimit të kapacitetit energjetik të vendit.

“Kjo pastaj rezulton edhe me blerjen e energjisë, kur ajo nuk mjafton, duke ndikuar në rritjen e kostos. Në momentin kur kemi procesin e Brukselit, kjo dëshmon që qeveria nuk ka kapacitet të zbatojë ligjin efektivisht në tërë territorin e Kosovës, e as të vazhdojë integrimin e pjesës veriore të saj. Ky është zhvillim i tmerrshëm, në një kohë pandemie, kur buxheti dhe ekonomia familjare e njerëzve që e duan Kosovën po sfidohen”, përfundon reagimi i AAK-së.

Ndryshe, edhe sot është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore.

Dy propozim rekomandime sot ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Propozimi i deputetes së Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për dhe 3 kundër, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri. Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri.

Kompania publike KOSTT ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi edhe 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve për prodhim të energjisë në pjesën veriore të Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për Ekonomi, e ka quajtur këtë kërkesë sfidë të madhe, por ka thënë se kjo është e trashëguar. Ajo ka thënë se Qeveria po e harton një plan për të zgjidhur për kohë afatgjate problemin.

Ndryshe katër komunat veriore që nga paslufta nuk kanë paguar për shpenzimet e energjisë elektrike.