Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi ka drejtuar akuza ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe kreut të vendit, Hashim Thaçi, meqë Kushtetuesja i dha të drejtë këtij të fundit rreth dekretit për mandatarin.

Abazi në një shkrim në Facebook u shpreh se ajo çfarë po thotë gjykata kushtetuese është se pavarësisht zgjedhjeve, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, presidenti në një Republikë Parlamentare si kjo e jona paska të drejtë të mandatojë këdo që me qëllim ka sabotuar rezultatin e zgjedhjeve paraprakisht sepse e ka parë mundësinë që të marrë pozitën e kryeministrit.

“Ky vendim përkrah rrëzimin e qeverisë me fituesin 50 ditë pas formimit- Ky është precedenti më i rrezikshëm që mund të lejojë një vend demokratik.”, ka shkruar mes tjerash Abazi.

Zëvendëskryeministri në detyrë u shpreh se Kushtetuesja mbrëmë shembi rendin kushtetues, dhe sipas tij, ajo me këtë vendim i dha krah kapjes së shtetit.

“Gjykata Kushtetuese përmend numrin e votave të mocionit- “harron” që aty janë 20 vota minoritare që nuk kalojnë fare në sistemin e votimit dhe janë së paku 20 të tjerë të inkriminuar e të “favorizuar” /kushtëzuar se si duhet votuar. Gjykata Kushtetuese mbrëmë në mënyrë tinëzare, në mbrëmje vonë ka shembur rendin kushtetues, duke përkrahur shëmbjen e rendit demokratik dhe vullnetin qytetarë. Argumentimi dhe arsyetimi i vendimit është politik dhe antidemokratik dhe asnjëherë ligjor e kushtetues. Keqardhje që Gjykata Kushtetuese bëhet amplifikatori i së keqës dhe i jep krah kapjes së shtetit.”, ka shkruar Abazi në Facebook./21Media