Reagoi Abazi

Reagoi Abazi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi konsideron se LDK-ja ka filluar fushatë kundër Qeverisë Kurti në pajtim të plotë me PDK-në. Në një shkrim në Facebook, Abazi reagoi pas deklaratave se VV-ja është anti-amerikane, duke i quajtur të kota, boshe e pakuptim.

Abazi u shpreh se me qëllimin e Thaçit për ndarjen e Kosovës, s’do të pajtohej kurrë Rugova, ashtu siç nuk u pajtua kurrë.

“Me qëllimin e Thaçit e PDK që të ndajë Kosovën për të shpëtuar lëkurën e vetë, kurrë nuk do të pajtohej Rugova ashtu siç nuk u pajtua kurrë. Me qëllimin e Thaçit për t’a copëtuar Kosovën dhe planin e tij nuk janë pajtuar asnjë nga miqtë që kanë dhe janë duke e ndihmuar Kosovën edhe në këto momente.”, shkroi Abazi.

Më tej u shpreh se LDK-ja e ka shansin që të mos ta bëjë gabimin që bëri duke zgjedhur Thaçin president.

“LDK dhe posaqërisht lidershipi i saj duhet t’a dijë që ky është shansi për të mos bërë gabimin që bëri duke e zgjedhur Thaçin president. Unë kam besuar shumë që ky ka qenë qëllimi i LDK kur kam qenë zëri që kam kërkuar koalicionin LVV-LDK me ngulm. Vërtet nuk e kam hall kur fyejnë e kërcënojnë njerëzit e afërt të Thaçit, e di se janë në hall. Pse LDK me instruksione t’u bashkohet zërave të PDK nuk e kuptoj. Shteti dhe qytetarët kanë dy rreziqe sot, njërën nga ndarja e vendit dhe tjetrën nga COVID-19. As e para e as e dyta nuk luftohen duke përkrahur qëllimkëqinjtë dhe ata që e kanë sjellur vendin në këtë situatë.”, shkroi Abazi.

Zëvendëskryeministri Abazi tha se janë kundër ndarjes së vendit dhe kundër gjendjes së jashtëzakonshme.

“Jemi kundër ndarjes së vendit dhe jemi kundër gjendjes së jashtëzakonshme që të përdoret për të bërë ndarjen e vendit. Degjojeni zërin e qytetarëve. Me 1989 e humbëm autonominë duke thënë nuk humbasim asgjë, me gjendjen e jashtëzakonshme dhe planin e Thaçit do humbasim territor dhe funksionimin e shtetit tonë. Me vjen keq por dikush që është mashtruar disa herë: në nënshkrimin e asociacionit të komunave, demarkacionin me Malin e Zi, zgjedhjen e Thaçit President dhe që tani kur është e qartë se çfarë është motivi i tij me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nëse nuk ndihmon dot, së paku nuk do të duhej të dalë në anën e atij dhe atyre që kanë tradhëtuar interesin e vendit shumë herë.”, shkroi ai në Facebook.

Më 17 mars, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i propozoi Kuvendit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kundër këtij vendimi doli Qeveria e Kosovës./21Media