Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, po pretendon se po i tjetërsohen votat nga komisionerët në qendrën e numërimit.

Përmes një statusi në llogarinë e tij “Facebook”, Abazi ka publikuar disa fotografi të cilat sipas tij dëshmojnë deformimin e votave të tij, e të cilat më pas po i kalohen Partisë Socialiste, ose edhe po shpallen të pavlefshme.

“Për të mbuluar krimin elektoral, mbrëmë tentuan me të gjitha format e presioneve që mos t’i lejonin vëzhguesit tanë të bënin fotografi në qendrat e numërimit. Por ja që ia dolëm sërish me fakte të tjera të dëshmojmë se si votat tona deformohen me një “X” të dytë nga komisionerët, për t’ia kaluar votat tona PS ose për t’i shpallur ato të pavlefshme”, ka shkruar Abazi.

Procesi i numërimit të votave pas zgjedhjeve të 25 prillit po shkon drejt fundit. PS vazhdon që të kryesojë si parti e parë me 709720 vota ose 48.79 %, me 74 mandate. PD-AN kanë marrë 574532 vota ose 39.49 %, konvertuar në 59 mandate në gjithë vendin.Nga ana tjetër, LSI ka marrë 100059 vota ose 6.88 %, konvertuar në 4 mandate./21Media