​Abdixhiku: Dita më e rëndë për vendin sot

​Abdixhiku: Dita më e rëndë për vendin sot

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas konfirmimit të 79 rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë, duke thënë se kjo është dita më e rëndë për vendin.

Ai në një postim në Facebook apelon qytetarët të mos dalin nga shtëpia, duke shtuar se asnjë masë nuk ka ndikim pa bashkëpunim.

“Përpjekja e deritanishme s’ka qenë fare e lehtë. Keni hequr dorë nga sjelljet tuaja më të zakonshme. Nga mbyllja e punëve e deri te distancimi nga më të dashurit tuaj. Kjo përpjekje, sado e vështirë që është, duhet të vazhdojë – në të kundërtën secili kontribut kolektiv i deritanishëm humbet kuptim. Sot ky kontribut ka humbur kuptim”, shkruan ai.

Abdixhiku ka bërë të ditur se qytetarët tanë të ngujuar jashtë, ngadalë por sigurt po kthehen në shtëpi.

“Qëndrimi në shtëpi e bën punën e mjekëve, policëve, ushtarëve e secilit kontribues tjetër në këtë betejë shumë më të lehtë. Duke qëndruar në shtëpi, ju shkurtoni kohëzgjatjen e mbylljes. Në anën tjetër, transporti ndërkombëtar i mallrave vazhdon. Vendi po furnizohet mjaftueshëm dhe pandërprerë. Qytetarët tanë të ngujuar jashtë, ngadalë por sigurtë, po kthehen në shtëpi. Rrugët po pastrohen e mirembahen nëpër Kosovën. Arsimi po zhvillohet”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.