Raportimet për emërimin konsull të djalit të deputetit Haxhi Shala, Flakron Shalës, në Pragë të Republikës Çeke, ngjallën shumë reagime.

Lumir Abdixhiku, ish-ministri i LDK-së në Qeverinë Kurti, kritikoi një emërim të tillë duke thënë se është demotivim për të gjithë të rinjtë që studiojnë me synimin për të përfaqësuar Kosovën.

Konsul lind, s’bëhesh. Shënim për gjithë të shkolluarit e shkretë, vajzat e djemtë më t’zot të shtetit, që ëndërrojnë t’i shërbejnë vendit me nder. Dhe habitemi pse vite më pas diplomacia serbe rrotullon historinë e fundit me ne”, ka pohuar ai përmes një postimi në Facebook.

Për emërimin e Shalës ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili ka thënë emërimi i tij ka të bëjë me votën e deputeti Shala për formimin e Qeverisë Hoti.

Një matematikë e thjeshtë. Paga e konsullit nëse nuk gaboj është 3200 euro në muaj. Mandati është tre vite, që nënkupton 115.200 e vetëm pagë. I paguhet qiraja e banesës, që minimum do të jetë le të themi 700 euro në muaj. Mbi 25.000 euro. Biletat e aeroplanit, shpenzime tjera gjatë qëndrimit në misionin diplomatik për tre vite së paku 20.000 euro. 115,200 paga, 25.000 qiraja, 20.000 shpenzime tjera. 160.200 euro totali”, ka shkruar Miftaraj.