Abdixhiku kritikon Kurtin për vizitën në Japoni: Ky njeri nuk di të qeverisë!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti që ka zgjedhur të largohet në Japoni, në kohën kur mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim.
Sipas tij, kjo është paaftësi dhe papërgjegjësi.
“Ky njeri nuk di të qeverisë! Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike.
“Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara – në energjetike, inflacion, shëndetësi e ekonomi. Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi”, përfundoi ai.
Të hënën, Kurti ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe./21Media

Back to top button