Abdixhiku: Kurti tashmë ka në dokument pozicionin politik të LDK-së

 

 

 

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, së bashku me nënkryetarin Lutfi Haziri i kanë bërë një qartësim, një kërkesë dhe një ofertë kryeministrit Albin Kurti, në takimin që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë.

Abdixhiku ka thënë se Kurti tashmë ka në dokument pozicionin politik të LDK-së, shkruan rtv21.tv

“Ne bëmë një qartësim, një kërkesë dhe një ofertë. Qartësimi ishte mbi dokumentet e dorëzuara tek kryeministri dhe ne rikonfirmuam edhe njëherë se të gjitha dokumentet që i ka pasur qeveria e kaluar i janë dorëzuar kryeministrit. Në qoftë se nuk i kanë, ose i kanë humbur, mund t’i kërkojnë sërish. Bëmë një kërkesë që kishte të bënte me pozicionin politik që kjo qeveri duhet ta ketë, e ta prezentojë në Kuvend. Pra Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës për dialog dhe po e presim një pozicion të tillë. Dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që ne mendojmë se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se Kurti tashmë ka në dokument pozicionin politik të LDK-së, që ky subjekt mendon që ai duhet ta trajtojë në Bruksel.

Ky dokument, sipas tij, përmban parime që duhet Kosova t’i mbrojë, që janë diskutimi mbi bazën e vendimit të GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit teritorial, tuajtja e karakterit unitar dhe rendit kushtetues.

“Poashtu edhe rezultati final, që duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në BE dhe NATO”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku ka theksuar se pa pjesëmarrjen e SHBA-ve në dialog, as që duhet të ketë dialog.

Abdixhiku i ka kërkuar kryeministrit të raportojë në Kuvendin e Kosovës sa herë që të shkojë në dialog.

“Është koha e tij të dëshmoj veten dhe Kosovën në këtë përfaqësim”, ka theksuar kryetari i LDK-së./21Media

 

Back to top button