Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, lidhur me deklaratën që ka bërë për dokumentet e dialogut.

Kurti të enjten kishte deklaruar se për procesin e dialogut Qeverisë po i mungon informacioni, pasi sipas tij, “mungon dokumentacioni”.

“Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi”, ka thënë Abdixhiku.

Ai tutje ka deklaruar se dokumentet e dialogut i janë dhënë Kurtit në ditën e pranimit të detyrës.

“Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim. Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish. Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai i ka thënë Kurtit se ka mundur të bëjë secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. “Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë”./21Media